18 mijë banorë të Skraparit në dorë të tre mjekëve, 2 prej tyre punojnë edhe pse kanë dalë në pension

18 Dhjetor 2018, 19:51

Me plot 17 mijë e 400 banorë, vetëm në bashki, nëntë njësi administrative dhe 105 fshatra spitali i Skraparit është në alarm për sa i përket mungesës së mjekëve. Lajmin e bën të ditur vetë drejtori i spitalit, i cili deklaron se në shërbim të pacientëve janë vetëm tre mjekë: një mjek patolog, një pediatër që ofron dhe shërbimet për sëmundjet e gjakut si dhe një mjek otorinolog. 

Me vetëm tre mjekë, ku këta dy të fundit kanë dalë prej vitesh në pension, por mbahen në punë ende, ky spital e ka të pamundur t'i shërbejë pacientëve. 

"Problematike është situata në kushtet kur nuk kemi një mjek gjinekolog, ai na vjen vetëm me orë të pjesshme dy herë në javë", shprehet drejtori i spitalit Astrit Dyrmishi. Problematikën e mungesës së mjekëve drejtuesi e ka bërë në të gjitha instancat shtetërore dhe është në pritje që në janar këtu të nis proçesi i patronazhimit. 

Nga ana tjetër me një kapacitet prej 38 shtretër ky spital ka dhe mungesë aparaturash, që për drejtorin janë po kaq shqetësuese, por që është i lidhur si problem sërisht me mungesën e mjekëve.