300 kg kokainë, grekët: E porositi mafia shqiptare, ja kush është kapoja

15 Nëntor 2018, 16:28

GREQI-Zbardhen detaje të reja nga operacioni që u zhvillua në Ekuador dhe në Athinë që u finalizua me arrestimin e nëntë personave, mes tyre grekë dhe një shqiptar që ishin drejtues të grupit kriminal.

Mediat greke shkruajnë se pagesën për mbi 300 kg kokainë e kishte bërë mafia shqiptare. Shqiptari i arrestuar njihet me emrin Ilia Petro Papaka, 41-vjeç, nga Elbasani, dhe është me precedent penal, pasi ka qenë arrestuar edhe në Itali për trafik të 200 kg marijuanë.

Me shqiptarin bashkëpunonin edhe dy grekë në rol dytësor, Apostolis Leusis, djali i një astrologu dhe biznesmeni Vasilis Spiridonakos, pronar makinash. Mediat ekuadoriane kanë publikuar edhe pamjet në momentin e sekuestrimit të heroinës.

Kokaina u gjet në një jaht dhe si destinacion kishte Australinë, ndërsa një pjesë e vogël ishte për tregun në Greqi. Nga operacioni në Ekuador u sekuestruan 382 kg kokainë, ndërsa në Greqi u arrestuan 3 persona dhe u sekuestruan 2 pistoleta, 223 fishekë dhe 2 peshore. 

Mediat greke kanë publikuar edhe fotot nga operacioni ku u sekuestrua kokaina në jahtin që tashmë është sekuestruar, ndërsa operacioni vijon ende në disa shtete për të arrestuar bashkëpunëtorët.