41-vjeçare me helikopter nga Burreli në maternitetin e Tiranës, lind fëmijën e 8-të

11 Janar 2019, 13:22 | Përditesimi i fundit: 2019-01-11 15:33:08

Një grua 41-vjeçare nga Burreli është transportuar me urgjencë në Tiranë me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë pas komplikacioneve shëndetësore. Ajo ishte paraqitur mëngjesin e sotëm në maternitetin e Burrelit, por mjekët vendosën dërgimin e saj drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar. Kushtet e motit nuk kanë qenë të favorshme për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar me urgjencë një helikopter për të transportuar shtatzënën.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Ogerta Manstirliu shkruan se gruaja ka lindur me sukses në maternitetin "Koço Gliozheni" në Tiranë fëmijën e saj të tetë. 

"Kjo është historia e Rozinës, nënës 41-vjeçare që pak minuta më parë ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë falë ndërhyrjes në kohë të ekipeve mjekësore dhe urgjencës kombëtare. E paraqitur me komplikacione në maternitetin e Burrelit mjekët e spitalit “Koço Gliozheni” që aktualisht po japin shërbim në Burrel, kanë vlerësuar si emergjente ndërhyrjen për nënën 41-vjeçare që rrezikonte jetën e saj dhe të bebit. Menjëherë është transportuar me helikopter në maternitetin “Koço Gliozheni” ku ka lindur fëmijën e saj të tetë. Nëna dhe i porsalindur gëzojnë shëndet të plotë", shkruan Manastirliu.