5 gjimnazistë të lënduar nga aksidenti në Qafë Thanë, shoferi autobusit shmangu tragjedinë

16 Nëntor 2018, 17:51

Një autobus me gjimnazistë ka rrëshqitur në kthesat e Qafë Thanës duke dalë nga rruga si pasojë e lagështirës, ndërsa drejtuesi ka arritur të manovrojë me shpejtësi duke e përplasur me bordurën mbrojtëse në krahun tjetër duke shmangur greminën. Report Tv ka siguruar pamjet e autobusit që u aksidentua në Qafë Thanë.

Aksidenti ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 16:45 minuta në kthesat e Qafë Thanës, ndërsa nga informacionet e para raportohet se të lënduar kanë mbetur pesë gjimnazistë, por jashtë rrezikut për jetën. 

Autobusi me gjimnazistët e një shkolle në Levan që kishin qenë në Pogradec për një ekskursion ditor po kthehej në drejtim të Fierit kur është aksidentuar në Qafë Thanë. Ditën e sotme në Pogradec dhe Prrenjas ka pasur disa reshje lokale shiu duke krijuar probleme me qarkullimin. 

Vetëm ditën e sotme janë regjistruar katër aksidente në Elbasan u përplas për vdekje një person, në Berat u plagosën dy, një në Tiranë, ndërsa në Këlcyrë doli një makinë nga rruga, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.