8 apartamenteve dhe 8 automjeteve, KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Apelit të Vlorës

15 Nëntor 2018, 13:16 | Përditesimi i fundit: 2018-11-15 16:43:59

TIRANE - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar kryetaren e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Alma Liçaj. 

Trupa gjykuese që shqyrtoi dosjen e Liçajt, Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, gjeti probleme të theksuara me pasurinë e gjyqtares. Kryegjyqtarja e Apelit të Vlorës rezultonte pronare e 8 apartamenteve në Tiranë dhe Vlorë dhe gjithashtu edhe e 8 automjeteve. Vetë gjyqtarja ishte e pranishme në seancën e KPK e shoqëruar nga mbrojtja. Ndërkohë një ditë para seancës dëgjimore në KPK, Alma Licaj shpalli të pafajshëm ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Pasuria 
"Shqiptarja.com" verifikoi pasurinë e deklaruar pranë ILDKPKI nga kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, që nga viti 2003 deri në vitin 2017, kur zonja ka dorëzuar edhe deklaratën e fundit të pasurisë. Të ardhurat e deklaruara nga gjyqtarja janë vetëm paga e saj dhe të ardhura nga një dyqan “ushqimore”. Sa i takon pasurive të paluajtshme, gjyqtarja deklaron në vitin 2003, dy apartamente, banesë 3 kate si dhe apartament 2+1. Në vijim, së bashku me bashkëshortin Alma Liçaj deklaron në vitin 2008 apartament në Tiranë me vlerë 60 mijë euro, kontratë për apartament në Tiranë me vlerë 97 664 euro në vitin 2009, apartament banimi 57 m2, në Vlorë, trashëguar nga babai, 25 % të pjesës, në 2016, si dhe apartament banimi, në Tiranë, 100.68 m2, me vlerë 70 mijë euro, në vitin 2016. Si burim për të justifikuar këto pasuri, gjyqtarja deklaron disa hua në vlerat 60 mijë euro, 30 mijë euro, 70 mijë euro dhe 12 mijë euro. Gjyqtarja ka ndryshuar shpesh makinat, ndërsa bien në sy që ka blerë makina me një çmim të caktuar, duke i shitur me një çmim disa herë më të lartë.