“Air Albania” vijon udhëtimet testuese, në bordin e Lasgushit familje në nevojë e pensionistë

23 Shtator 2018, 15:26

Air Albania, kompania e parë shqiptare e fluturimeve ajrore, vijon udhëtimet testuese drejt Stambollit. Kompania në bashkëpunim me qeverinë ka zgjedhur që udhëtimet e para t’i bëjë me studentët e ekselencës, pensionistët, familje në nevojë apo përfaqësues të medias. 

Kritikat fillestare se në bordin e avionit nuk kishte komunikime në gjuhën shqipe, janë korrektuar. Stafi i 'Air Albania' nuk ka asgjë më pak se të kompanive të tjera me traditë disa vjeçare në tregun shqiptar. 

Avioni i parë, i pagëzuar nga kryeministri Rama si “Lasgushi” ofron kushte komode, instruksione në shqip, shërbim cilësor dhe vakte të kënaqshme. 

Kjo kompani do të operojë fillimisht me linjën Tiranë-Stamboll e anasjelltas, duke ndikuar në çmimet e biletave në treg për këtë destinacion e duke ju mundësuar shqiptarëve një vizitë më të lirë qoftë edhe për turizëm në Stamboll.

Kompania do të vijojë udhëtimet testuese dhe do të jetë e hapur zyrtarisht për qytetarët javën e tretë të tetorit. Air Albania është një bashkim i aksioneve të qeverisë shqiptare përfaqësuar nga Albcontoll, dhe biznesmenit shqiptar, Sinan Idrizi me 51 përqind, ndërsa kompania turke e fluturimeve, Turkish Airlines ka 49 përqind të aksioneve.