Aksident i rëndë në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan, makina bie në humnerë, vdes gruaja, rëndë burri

TIRANË-Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë si pasojë e një aksidenti në dalje të tunelit në drejtim Elbasan-Tiranë. Nga aksidenti ka humbur jetën gruaja, ndërsa i plagosur rëndë në spital ndodhet burri, i cili po drejtonte makinën.

Ata po udhëtonin me mjetin me targë AA544KO me drejtues I.G. rreth 60 vjeç dhe pasagjere bashkëshortja Xh.G. rreth 55 vjeçe në momentin që kanë humbur kontrollin duke përfunduar rreth 15 metra në humnerë.

Sipas policisë, çifti është dërguar me urgjencë në spital, por bashkëshortja si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë, ndërsa burri ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të aksidentit dhe veprimet e mëtejshme.