Aksione me 'civila' Policia Rrugore 'kap' në flagrancë drejtuesit e mjeteve në Tiranë

15 Gusht 2018, 15:56 | Përditesimi i fundit: 2018-08-15 16:17:08

TIRANË- Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet në rrugët urbane të kryeqytetit, ku si objekt kryesor kanë qenë një serë shkeljesh problematike për përdoruesit e rrugës. Sipas policisë, gjatë 48 orëve të fundit, janë proceduar penalisht disa drejtues mjetesh, të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. 

Njoftimi i policisë: 

Vijojnë kontrollet, nga rrugoret e kryeqytetit me efektivë civile në rrugët urbane, me objekt kryesor një sërë shkeljesh të rrezikshme dhe shqetësuese për përdoruesit e rrugës, siç janë, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mospërdorimi i kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve dhe çiklomotorrëve, mospozicionimi në korsinë e duhur të lëvizjes, kryesisht në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, qarkullimi në korsitë e dedikuara për shërbimin publik dhe biçikletat, respektimi i sinjalizimit rrugor etj;

Kontrollet në funksion të këtij Plani janë shtrirë në të gjitha rrugët dhe kryqëzimet e evidentuara si problematike ndaj këtij fenomeni të alternuara përgjatë 48 orëve të fundit nga të cilat janë konstatuar dhe proceduar administrativisht :

• 95 drejtues mjetesh për përdorim celulari

• 58 drejtues motomjtesh për mospërdorim të kaskës mbrojtëse

• 76 drejtues mjetesh për pozicionim të gabuar në zonën e kryqëzimit

• 36 drejtues mjetesh për qarkullim në korsinë e dedikuar të shërbimit publik

• 15 drejtues mjetesh për shkelje semafori

• 82 mjete të ndaluara administrativisht për detyrime administrative të pashlyera

• Janë arrestuar 6 drejtues mjetesh të papajisur me leje drejtimi

• Jane arrestuar 3 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.