Ambasadorja e BE: Drejtësia e re nuk ka kthim pas, jeni të duruar, do të vijë ndryshimi

13 Qershor 2018, 16:02

Në Pallatin e Kongreseve është prezantuar nisja e projektit EURALIUS V, që synon konsolidimin e sistemit shqiptar të drejtësisë. Të pranishëm kanë qenë ambasadorja Romana Vlahutin, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Christian Lange nga Ministria Federale Gjermane e Drejtësisë.

Diplomatja e misionit të BE në Tiranë Vlahutin është shprehur se pas reformës në drejtësi pritet një ndryshim themelor, nga lufta kundër korrupsionit te zbatimi i të drejtave të njeriut.

Me asistencën e EURALIUS, BE do të japë një ekspertizë mjaft të mirë për të drejtat e njeriut, por edhe luftën kundër korrupsionit në vend për të bërë Shqipërinë një vend me të drejta të barabarta për të gjithë. Reforma në Drejtësi është një instrument i mirë për sigurinë dhe le të besojmë që ndryshimi është i mundur, duhet durim. Nuk ka kthim pas, sistemi i drejtësisë është një realitet dhe ne jemi të duruar për të pritur ndryshimin për të ardhmen.

Romana Vlahutin