Ardi Veliu: Të fortët nuk do kenë shpëtim, 300 të arrestuar

23 Tetor 2018, 14:06

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se në kuadër të operacionit për goditjen e të ‘fortëve’ në komunitet janë arrestuar 300 persona, rreth 160 me precedentë dhe 154 persona për të cilët ka pasur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar.

Nga operacionet, që sipas Ardi Veliut nisi me porosi të kryeministrit Rama dhe ministrit Xhafaj, që nga data 20 shtator përpos arrestimeve janë sekuestruar 43 armë zjarri, makina dhe para.

Deklarata e plotë 
Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe me mbështetje aktive nga partnerët ndërkombëtarë, është e angazhuar në luftë të pa kompromis për parandalimin, identifikimin dhe goditjen e individëve të përfshirë në veprimtari kriminale dhe veçanërisht krimit të organizuar dhe grupeve kriminale në vend.

Operacioni “Forca e Ligjit”, iniciuar vetëm 11 muaj më parë ka rezultuar një nismë e suksesshme e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për përballjen me drejtësinë të drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre grupeve kriminale. Që prej nëntorit 2017, kur nisi operacioni “Forca e Ligjit” për skedimin, identifikimin dhe hetimin, një sërë grupesh kriminale janë goditur dhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre grupeve sot janë pas hekurave të burgut. Operacioni policor i koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve” identifikon dhe ndëshkon individët që në shkelje të hapur të ligjit, cenojnë rendin e qetësinë publike dhe guxojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjit. Policia e Shtetit është e vendosur mos të lejojë që në çdo cep të territorit askush të mos sfidojë dot autoritetin e shtetit, të Policisë së Shtetit dhe Forcës së Ligjit. 

Ky operacion është pro-aktiv. Forcat policore të programuara për këtë operacion shkojnë dhe kontrollojnë kryesisht individët me problematika në fushën e rendit sipas një skedari emrash të hollësishëm, kudo që ata ndodhen dhe nuk i pret ata në postbllok apo t’i ndalojë kur përfshihen në ngjarje kriminale. 

Nga data 20 shtator Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e Operacionit policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

Të gjithë këtë aktivitet të shtirë në çdo skaj të vendit gjatë kësaj periudhe e kemi zhvilluar qëllimisht në heshtje publike, duke patur interes të parë, rezultatet. 

Sot jemi këtu pikërisht për t’ju bërë me dijet rezultatet më të rëndësishme konkrete të javëve të para të cilat janë premtuese, çka do të thotë se operacioni do të jetë i suksesshëm edhe në etapat e mëtejshme.