Arratisja, gjyqtari i Vlorës: Si më iku para syve Mikel Kasa, tentoi ta ndalojë shoferi i Gjykatës

23 Maj 2018, 15:51

Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluçi ka dhënë detaje nga arratisja e të dënuarit Mikel Kasa nga ambientet e kësaj gjykate, përpara syve të tij. 29-vjeçari i iku policisë pikërisht në momentin kur vetë gjyqtari Haluçi, i cili kryesonte trupën gjykuese, i komunikoi dënimin të riut me 3.4 vite burg.Ai thotë se ambientet e Gjykatës së Vlorës kanë mungesë sigurie dhe trupa e gjyqtarëve dhe avokatëve janë të rrezikuar çdo ditë. Sipas tij, Kasën ka tentuar ta ndalojë shoferi i Gjykatës në korridor, pasi iu iku dy oficerëve që ndodheshin në sallë.

Gjykata e Vlorës është jashtë çdo lloj parametri sigurie. Ka mungesë të sigurisë në Gjykatë. Kam kërkuar marrjen e masave për sigurinë e trupës së gjykatës dhe të qytetarëve në këto ambiente. Në këto ambiente ndodhin përditë probleme të qytetarëve me avokatët dhe gjyqtarët. Në sallën e gjyqit janë vetëm dy punonjës policie dhe nuk ka asnjë forcë tjetër sigurie pavarësisht kërkesave që kam bërë prej 4 vitesh. I arratisuri ka përshkuar të gjitha korridoret e gjykatës dhe përplasur vetëm me shoferin e gjykatës i cili ka tentuar ta ndalojë por pa rezultat.

Skënder Haluci, gjyqtar i çështjes dhe kryetar i Gjykatës së Vlorës
Sipas gjyqtarit, i dënuari është arratisur në momentin kur po largohej trupi gjykues. Ai thotë se i dënuari është liruar nga duart pas komunikimit të dënimit.