Artan Hoxha në Report TV: Dyshimet për vrasjen Arben Tuzit dhe vdekjen e ish-gruas së Behar Bajrit

22 Shtator 2018, 14:10

Pak orë pasi policia e Shtetit dhe prokuroria njoftuan për rezultatet e operacionit Oaz, ku u arrestuan 11 persona, si pjesë e grupit kriminal Bajri në Shkodër, gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, ka thënë se ky operacion është ndërkombëtar dhe ka patur një rezultat të suksesshëm.

Hoxha ka thënë se dy nga akuzat më të rënda që rëndojnë për të arrestuarit e këtij grupi, janë ato të vrasjes me dashje të dokumentuara. Gazetari Artan Hoxha ka treguar në studion e lajmeve në Report Tv se 2 vrasjet e dokumentuara nga policia, janë ato të viteve 2000, ku më 7 shkurt 2001 Behar Bajri dhe Ilir Bajri akuzohen se kanë vrarë Arben Tuzin në Tiranë.

Hoxha ka thënë se vrasja e dytë për të cilën akuzohen Bajrajt është ajo e 20 qershorit të vitit 2002, për Fabiola Bajrin, që ka qenë gruaja e Behar Bajrit. Fabiola Bajri është raportuar si vetëvrasje, ka thënë gazetari Hoxha, ndërkohë që ende nuk dihen provat e reja që ka gjetur prokuroria për këtë dosje.