Audio-përgjimi 'Babale', ekspertim për zërin e dëshmitarit të ri

23 Qershor 2018, 10:46

Megjithëse janë kryer mjaft veprime hetimore dosja “Babale” vijon të mbetet peng e përgjigjes nga Italia, ku është kërkuar nxjerja e vërtetësisë së zërit të Agron allias Geron Xhafaj dhe Albert Veliut.

Prej gati 1 muaj, autoritet e Drejtësisë Italiane nuk kanë dërguar përgjigjen, ndërkohë në Shqipëri anëtarët e grupit hetimor të kësaj dosje kanë kryer mjaft hetime, duke arritur të zbulojnë një skenar të mirëiskenuar nga segmente të caktuara të Partisë Demokratike.

Kjo mbështetet edhe nga dëshmia e dy personave të PD që janë pyetur në prokurori, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, të cilët u kanë treguar prokurorëve se nuk kanë pasur njohje me “Babalen” dhe se deputeti që e kishte prezantuar me Albert Veliun, ishte Ervin Salianji.

Momentalisht prokuroria ka përfunduar fazën dokumentare të pyetjes së personave kryesore, përfshirë këtu dhe një 45-vjeçar nga Novosela e Vlorës, që është vetëofruar si dëshmitar, duke marrë ai autorësinë e audios.

Por pavarësisht bindjes së këtij banori nga Novosela se ai ka aktruar Agron Xhafën në audio-përgjimin mes tij dhe Babales, sërisht prokuroria nuk e shikon plotësisht të mirqënë versionin e tij, dhe se pritet që shumë shpejt zëri i këtij dëshmitari të vetëofruar, do i nënshtrohet ekspertizës, për të mësuar nëse është i njëjtë me atë të audios apo jo. Kjo do të jetë ekspertiza e dytë, që do kërkohet për dosjen “Babale”, pasi prokuroria kërkon ta dokumentojë plotësisht pjesën e autorësisë së këtij audio-përgjimi.

Banorit të Novoselës i është marrë zëri dhe se tashme janë tre zëra që do krahasohen me njëri-tjetrin. Pritet që në ditët në vijim prokuroria mund të kërkojë arrestimin e disa personave, për akuzën e “Krijimit të provave të rreme”, pasi nga hetimet ka rezultuar se gjithçka është iskenuar mbi një mashtrim.