Autobusi i Kamzës del nga rruga, merr para babë e bir në trotuar, plagoset djali

21 Tetor 2018, 10:43 | Përditesimi i fundit: 2018-10-21 13:05:45

TIRANË- Autobuzi i Kamzës ka dalë nga rruga duke lënë të plagosur një djalë të vogël. Burime përShqiptarja.com dhe Report Tv bëjnë me dije se djali i vogël ishte duke ecur në trotuar bashkë me të atin. Babai i djalit arriti të shpëtonte pa dëmtime, ndërsa i mituri është përplasur dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi ka përplasur djalin, autobusi më pas është përplasur me katin e parë të një banese dykatëshe, ku edhe ndodhej një dyqan këpucësh. 

Mësohet se shoferi i mjetit është shprehur se në momentin e aksidentit nuk ka mundur të kontrollojë dot mjetin dhe për këtë arsye ka ndodhur edhe përplasja.

Megjithatë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë nisur punën për zbulimin e shkaqeve të aksidentit ku edhe nuk hiqet mundësia e shpejtësisë tej normave të lejuara në qytet ose edhe shoferi i mjetit që mund të ketë qënë në gjendje të dehur dhe për këtë arsye ka shkaktuar edhe aksidentin.

 Aksidenti ka ndodhur në qendër të Kamzës, duke shkaktuar panik tek drejtuesit e tjerë të mjeteve dhe qytetarët e zakonshëm. Në zonën ku edhe ka ndodhur aksidenti shiten biletat e autobusit dhe zakonisht në ditë pune aty ndodhen dhjetra persona që përdorin shërbimin urban.