Avionët ‘Air Albania’ me emra poetësh, Rama: Ambicia jonë, të çojmë nga Tirana në New York 'Imzot Nolin'

RINAS- Avioni i parë i kompanisë shqiptare të fluturimeve, Air Albania është ulur në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas. Gjatë uljes, avioni është pritur me dy zjarrfikëse që kanë hedhur ujë.

I pranishëm në aeroport për pritjen e tij ka qënë i gjithë stafi dhe zyrtarë të lartë të shtetit, ndër ta edhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Rama ka treguar një detaj sa i përket avionëve, të cilët mbajnë emrat e poetëve shqiptarë. I pari, ai që edhe ka mbërritur sot, mban emrin e Lasgush Poradecit. 

Për ne që jemi të këtij vendi, shqiponja është gjëja e parë që mendojmë sapo mendojmë për fluturimin. Zgjodhëm që shqiponjave tona t’u vëmë emrat e poetëve tanë. I pari është Lasgushi, tjetri është Migjeni, ambicia jonë është që të çojmë nga Tirana në New York imzot Nolin.

Edi Rama, kryeministër

Më tej, Rama është shprehur mbërritja e avionit ‘Lasgush’ është një emocion tejet i veçantë pasi u përmbush një ëndërr, e cila dukej e pamundur.

Përmbushim një ëndërr që dukej e pamundur, por që u realizua. Kompaninë ajrore të flamurit kuqezi ‘Air Albania’. Është një ëndërr që sot merr krahë për të filluar një ëndërr prej shumë kohësh. ‘Air Albania’ është një vepër kombëtare. E vërteta është se shteti shqiptar nuk mund të ndjehet plotësisht i rezultuar nëse neglizhon pozicionin e vet në hartën dhe kullat e vendeve ku udhëtojnë shqiptarët. Me kompaninë kombëtarë te fluturimit ne kemi nisur rrugën ndërlidhëse me Evropën, por edhe më tej. Sot falë ‘Air Albania’ ne mund të fluturojmë. Nuk e di si do përkthehet kjo për miqtë tanë, por duhet të fluturojmë me këmbë në tokë. Krijimi i parë i Shqipërisë ka garancinë e një partneri global Turkish Airlines. Shqiptarët kanë qënë dhe mbeten të detyruar që të udhëtojnë me shërbime të plakura për udhëtime të largëta. Është dashur punë për të pasur një kompani tonën. 94 vjet më parë Shqipëria ka tentuar të kishte linjën e vetë ajrore, e cila do të kryente fluturime drejt Sofjes, Romës, Beogradit, Podoricës por edhe drejt Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës. Nënvizoj që jemi shumë të fokusuar që të mos jemi më vendi me një aeroport, të kemi të Vlorës, Kukësit dhe të Sarandës. Acarohem me ankesat e shqiptarëve që rrojnë në emigracion që detyrohen të paguajnë bileta që të heqin mend e kokës. Kjo është kostoja e trashëgimisë që kemi mbi supe.