Basha: Kryeprokurorja, shërbëtorja e Ramës po bën gati lirimin e Shullazit

21 Shtator 2018, 12:51

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denonucar edhe sot miratimin nga Kuvendi të dy ligjeve, atë për lojërat e fatit dhe ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Sipas kreut demokrat, këto dy ligje legjitimojnë pastrimin e parave të krimit përmes lojërave të fatit dhe sektorit të ndërtimit. I ftuar në konferencën ballkanike që u zhvillua në Tiranë këtë të premte, ku mori pjesë edhe eurodeputetja gjermane, Doris Pack, Basha iu rikthye edhe akuzave në adresë të kryeprokurores Arta Marku për çështjen "Shullazi".

Lidhja e qeverisë me krimin është pengesa kryesore e Shqipërisë në BE. Rasti i mbrëmshem është tronditës: kryeprokurorja ka lënë pa hetim çështjen e Shullazit. Prokuroria është në mbrojtje të Shullazit, mikut të mikut të Ramës; është liruar Ermal Hoxha se nuk nxori emrin e Olsi Ramës; krimi ka bekimin e ministrit të Brendshëm; paratë publike përfundojnë në duart e personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë; njerëz të dënuar në disa shtete fitojnë qindra milionë euro tendera nga qeveria e Edi Ramës.

Ka arritur në pikën më të paimagjinueshme, pastrimi i parave të pista: katër vite më parë problem ishte kanabisi, tani është kokaina, heroina dhe pastrimi i parave të pista. Shikoni çfarë ligjesh kaloi parlamenti së fundmi: miratoi ligj për lojërat e fatit dhe miratoi ligjin për Teatrin, që të fitojë Rama 200 milionë euro. Pra, parlamenti për dy javë mori dy vendime: Bixhozit i uli taksat dhe i hapi rrugën, pastrimit të parave të pista në ndërtim. Janë paratë e drogës. A ka definicion më të qartë të kapjes së shtetit?! Pra, jo kryeministri, por Kuvendi kthehet në trupën që ligjëron pastrimin e parave. Ul taksat për bizhin dhe vjedh pronën publike!