BE ultimatum Haradinajt: Anuloni vendimin për tarifat ndaj mallrave serbe

16 Dhjetor 2018, 17:08 | Përditesimi i fundit: 2018-12-18 18:27:00

Tarifa ndaj Serbisë vijon të mbajë të ndarë në qëndrimet e tyre institucionet e larta të BE dhe qeverinë e Kosovës. Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini, Komisionerja për tregti Malmstrom dhe Komisioneri Hahn i kanë dërguar zyrtarisht një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Ata kërkojnë anulimin deri të hënën të vendimit për taksën 100% të produkteve serbe, e ndërsa ofrojnë zëvendesimin e emërtimit UNMIK me Kosovo në marrëveshjen për CEFTA.

Të hënën në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të marrëveshjes së stabilizim asociimit, e ndërsa zyrtarët e lartë të BE kërkojnë që para 17 dhjetorit Kosova të shprehë vullnetin e mirë për pezullimin e zbatimit të vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në letrën që përfaqësuesit e Komisionit Evropian i kanë drejtuar Kryeministrit të Kosovës kanë adresuar edhe disa shqetësime që Haradinaj ua ka shprehur në letrën që ai e kishte dërguar më parë kur kishte sqaruar arsyet pse Kosova kishte vendosur këto masa.

“Ne kemi marrë në dijeni po ashtu edhe listën e rasteve të praktikës tregtare nga ana e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që, sipas këndvështrimit të Kosovës, paraqesin barriera në zbatimin korrekt të aranzhimeve të CEFTA-s dhe krijojnë problem domethënëse në terren për veprimet ekonomike dhe për qytetarët”, thuhet ndër të tjera në letër.