Berat, familja Çekini në kushte të vështira ekonomike

23 Prill 2018, 22:09

Familja 9 anëtarëshe e Jeta Çekinit në lagjen Uznovë të Beratit jeton në kushte çnjerëzore. Ngrehina e tyre është e ndërtuar me kallama, brenda saj nuk mund të jetojnë as bagëtitë, por pjesëtarët e kësaj familje, çdo ditë gdhihen e ngrysen me frikën e zënies poshtë nga drunjtë e çatisë. 

Prej 12 vitesh familja 9 anëtarëshe e Jeta Çekini në lagjen Uznovë të Beratit jeton në kushte shumë të vështira. Më herët kjo familje ka jetuar në një banesë me qera, por leket e pensionit nuk i mjaftonin pasi 9 anëtarët nuk kishin mundësi të ushqeheshin, të paguanin faturat dhe mbi të gjitha edhe qeranë. Burri i shtëpisë merr një pension prej 14 mijë lekë në muaj, të cilat nuk janë aspak të mjaftueshme.

Të 9-të pjesëtarët e familjes Çekini janë detyruar të dalin në periferi dhe të ndërtonin një kasolle me kallama dhe me baltë, por me kalimin e kohës shirat dhe reshjet e kanë rrënuar shtëpinë. Siç shihet edhe nga pamjet, çatia është tërësisht e rrënuar, muret po ashtu janë drejtë shembjes. Ndërsa sa i përket orendive shtëpiake ato janë të gjetura në vende të ndryshme të cilat janë hedhur nga të kamurit. Ndërsa e zonja e shtëpisë, Jeta Çekini i bën apel bashkisë për ndihmë:

Ne duam ndihmë nga Bashkia, të na ndihmojë, të verë dorën në zemër për fëmijët dhe mua se njërin çun e kam invalid, nuk shikon nga sytë dhe nuk kam mundësi ta çoj në spital. Nuk më del të paguaj drita dhe ujë me 140 mijë lekë që marr, jam pa bukë, kam shumë borxhe. Pardje më lidhën dritat, për ca mi ndezën tani që vijnë votat, kur nuk kam të paguaj as për bukën e gojës. Po na bie shtëpia, e shikoni ca kasolle jetojmë.

Zonja e shtëpisë, Jeta Çekini