Bllokohet dosja 'Hajdari', gjyqtarët japin dorëheqjen, çështja kalon në KLGJ

13 Dhjetor 2018, 15:17

Procesi ndaj Izet Haxhisë i njohur ndryshe dhe si dosja “Hajdari”, ka kaluar për shqyrtim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pasi trupa e dytë gjykuese e përzgjedhur me short nuk ka pranuar edhe këtë herë të marrë përsipër kërkesën e të dënuarit  për rigjykim.

 Report tv ka siguruar vendimin e dorëheqjes së tre gjyqtarëve  Astri Haxhialushi, Genti Alushi dhe Vladete Hoxha të dhënë më 23 nëntor 2018  cilët kanë vendosur të mos marin përsipër të jenë ata gjyqtarët e çështjes me argumentin se kanë konflikt interesi pasi janë kolegë me Fatmira Hajdarin të venë e Azem Hajdarit.

Për  këtë trupa e parë e përbërë nga Shkëlqim Mustafa, Andi Civici dhe Fatmira Hajdari, bashkëshortja e të ndjerit Hajdari dha dorëheqien dhe me short u zgjodhën tre gjyqtarë të tjerë. Por pas kërkesës së Haxhisë se kjo trup mund të ndikohet nga raporti dhe njohja që kanë me Fatmira Hajdarin u pranua dhe kjo këresë.

Ndërkohë,në seancën e fundit edhe vetë Izet Haxhia kërkoi të gjykohet vetëm nga një trup gjyqtarësh të cilët më parë të kenë kaluar kaluar vettingun, ndërsa 3 gjyqtarit e emeruar i ka cilësuar më herët sit ë kapur politikisht dhe miqë të gjyqtares Fatmira Hajdari.

Në kërkesën depozituar në procesin e dorëheqjes nëpërmjet avokatit Izet Haxhia shkruan “nisur nga fakti që znj.Hajdari prej disa vitesh ushtron detyrën e gjyqtares së apelit dhe për pasojë ka njohje e ndikim tek trupa gjyqësore e kësja gjykate, kërkoj një tjetër trup gjykuese jashtë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Në vendimin e gjykatës shprehet se Fatmira Hajdari është profesioniste dhe nuk ndikon aspak tek kolegët, por packa kësaj për të shmangur cdo pretendim të Haxhisë ata e kanë pranuar kërkesën e përjashtimit të trupës të përzgjedhur me short.

Sakaq, kërkesa për rigjykim e Izet Haxhisë i cili njihet dhe si ish truproja e ishkryeministrit Sali Berisha për gjyqtar të cilët kanë kaluar vettingun dhe duhet të shqyrtojnë procesin e tij, pritet të shqyrtohet tanimë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Aktualisht, nga dita e djeshme kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që përfshin dhe delegimin e gjyqtarëve i kanë kaluar Këshillit të lartë Gjyqësor, i cili pritet të shqyrtojë edhe këtë çështje. Ndërkohë pritet caktimi i një tjetër trupe gjykuese për procesin e Izet Haxhisë.

Kujtojmë Izet Haxhiaj është ekstraduar në Shqipëri më 8 maj 2018 nga Turqia, vend në të cilin ai jetonte prej prej gati 10 vitesh pasi në Shqipëri ishte person i kërkuar. Ndërkaq, me kthimin e tij në Shqipëri iu drejtua gjykatës penale Tiranë me kërkesën për rivendosjen e afatit të dënimit të dhënë në mungesë të tij.