Dëbora zbardh edhe verilindjen, në Korçë nisin problemet me qarkullimin

17 Nëntor 2018, 09:23 | Përditesimi i fundit: 2018-11-17 09:47:11

Prej ditës së djeshme vijojnë reshjet e dëborës në qarkun e Korçës. Sipas gazetares së Report Tv në Korçë, Iris Rezhda reshjet kanë sjellë probleme në aksin Boboshticë-Dardhë që është pjesërisht i kalueshëm, ndërsa duhen zinxhirë për të qarkulluar, pasi dëbora ka arritur 25 cm.

Në Voskopojë aksi është i kalueshëm, pasi 10 cm është lartësia e borës. Reshje ka pasur edhe brenda në qytet, por nuk raportohen probleme. Përveç Korçës, mbrëmja e së premtes ka sjellë reshjet e para të dëborës edhe në zonën e verilindjes. Ndonëse jo në sasi të madhe, dëbora ka zbritur deri afër qyteteve Bulqizë dhe Peshkopi.

Në disa fshatra të Bulqizës dhe Dibrës dëbora ka arritur deri në 5 centimetra, por nuk raportohet të ketë probleme me qarkullimin e mjeteve. Temperaturat kanë zbritur deri në zero gradë duke bërë një ndryshim të menjëhershëm, e për pasojë kanë nisur edhe ngricat.