Dekretimi i Lleshaj/ Presidenti Meta: S'ka presion tek unë, e di shumë mirë procedurën

15 Nëntor 2018, 20:41 | Përditesimi i fundit: 2018-11-15 20:50:53

TIRANË- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qënë i pranishëm ditën e sotme në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve të Europës Juglindore “South East Europe Medi Forum”. Nga gazetarët e pranishëm, shqiptarë dhe të rajonit, Meta është pyetur për çështjen e dekretimit të “Lleshaj” dhe kalimi i Gruevskit për të Hungari nga toka shqiptare dhe ka thënë se politikanët nuk duhet t'i tremben drejtësisë.

Mendoj që çdo politikan nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Ne kemi raste edhe në Shqipëri kur ka patur burgosje, por janë përballuar me kurajo. Kam një rastin tim. Në vitin 1992 morën peng dy oficerë policie nga protestuesit në zonën time elektorale. Unë shkova dhe i “shpëtova”. Për këtë çështje Prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Greqia dhe Italia më ofroi strehim politik por nuk e pranova një gjë të tillë. Politikanët duhet të qëndrojnë si burrat.

Ilir Meta, president 

I pyetur nëse do ta dekretonte si ministër Sandër Lleshaj, tanimë që i është propozuar për herë të dytë nga kryeministri Edi Rama, Meta u shpreh se në ditët e ardhshme mbi rastin do të kishte një përgjigje institucionale e korrekte.

Jam presidenti i vendit dhe si i tillë kam përkushtim maksimal. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të shkelur Kushtetutën. E di shumë mirë si funksionon procedura e emërimit të ministrit. Kam qenë kryeministër dhe kryetar Kuvendi dhe e di si funksionon. Në ditët e ardhshme do merrni përgjigje institucionale e korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate.

Ilir Meta, president

Kryeministri Edi Rama dërgoi për herë të dytë në presidencë pak ditë më parë dekretin për emërimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Cështja ka hapur një debat mes qeverisë dhe presidencës dhe kryeministr ka thënë se nuk ka asnjë arsye racionale apo kushtetuese që Meta t'a refuzojë kandidaturën e Lleshajt.