Dekretimi i Lleshit, ish-presidenti Moisiu: Mendoj se Meta do thotë “Po” kësaj here

11 Nëntor 2018, 12:48 | Përditesimi i fundit: 2018-11-11 16:12:16

Çështja e dekretimit të gjeneral Sandër Lleshi, si  ministër i Brendshëm, shihet pozivitisht nga paraardhësi i Metës në presidencë. Ish-presidenti Alfred Moisiu, në një prononcim për gazetarët nga qyteti i Korçës, aty ku ishte i pranishëm në një aktivitet, ka thënë se kësaj here, Meta do t’i thotë “Po” Sandër Lleshit në këtë detyrë.

Sipas Moisiut, presidenti ka patur të gjithë kohën e nevojshme për të reflektuar dhe verifikuar. 

“Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar. Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur’-tha Moisiu.

I pyetur nëse Meta ka shkelur Kushtetutën, Moisiu u shpreh se presidenti i Republikës nuk është vetëm një noter.

Deklarata e plotë para gazetarëve:

Cfarë mendoni se do të bëjë Meta me dekretin e dërguar sërish nga qeveria për Lleshin? 

Mendoj se Presidenti do ta kalojë këtë dekret.

Pse mendoni se “po” kësaj here?

Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar.

Herën e parë se kishte kohën apo ishte precedent?

Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur

E ka shkelur Kushtetutën Meta herën e parë?

Unë e kam deklaruar edhe më herët se presidenti nuk është noter, por këto probleme zgjidhen me diskutime, mes presidentit dhe kryeministrit. Kushtetuta i jep të drejtë Presidentit të shqyrtojë. Unë kam patur dy raste, një rast me Nanon kryeministër dhe një rast me Berishën, për dy ministra. Më sqaroi Nano, po ashtu edhe Berisha për një ministër, më dha informacion.