Denoncimi i prokurorit/ Sokol Stojani: Si më shantazhoi Fatmir Mediu për dosjen Gërdeci

15 Nëntor 2018, 13:58

Prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani, ka shpjeguar para Komisionit të Vetingut përplasjet mes ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, pasi e procedoi penalisht për shpërthimin në Gërdec, ku humbën jetën 27 fëmijë, gra dhe burra, u plagosën rreth 300 të tjerë, ndërsa u hodh në erë një fshat i rërë mes Tiranës dhe Durrësit. Sqarimet e prokurorit Stojani reflektohen në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari, trupë e cila ka vendosur të konfirmojë në detyrë prokurorin pasi ka kaluar me sukses të tre testet e Vetingut, ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Më datë 24.03.2009, Fatmir Mediu kallëzoi prokurorin Stojani për shpërdorim detyre në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mediu ka kallëzuar faktin se më datë 19 mars 2009 ai ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”. Sipas tij, prokurori Sokol Stojani ka komunikuar me SMS me gazetarët që kanë qenë pjesë e panelit të emisionit, ku ka qenë i ftuar edhe Mediu. Në këto komunikime, sipas Mediut, prokurori u ka sugjeruar gazetarëve pyetje publike. Këtë veprim, Mediu e konsideroi si vepër penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 21.04.2009 vendosi “Mosfillmin e procedimit penal nr. (***), datë 27.03.2009”, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.