DETAJE/ Kunati i Lul Kullës u vra në lokalin ku pinte çdo ditë kafe, 10 të shoqëruar

SHKODËR- Pak orë pas atentatit të tipit mafioz të ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Guerrile të Shkodrës, Report Tv dhe Shqiptarja.com mësojnë detaje të reja.

Fatbardh Lici, 53-vjeç ishte ulur edhe sot në të njëjtin lokal ku ulej çdo ditë për të pirë kafe. Autori me sa duket i dinte mirë lëvizjet e tij. Është afruar me një automjet tip “Benz” në lagje, ka zbritur prej saj dhe e ka qëlluar me disa plumba. Gazetari Ergys Kavaja referuar dëshmive në vendngjarje thotë se autori ishte i pamaskuar.

Ai ka vepruar me gjakftohtësi dhe është larguar sërish me automjetin tip "Benz" të cilin blutë e Shkodrës e gjetën në flakë pak minuta pas ngjarjes në zonën e Dobroçit. Report Tv mëson se ekspertët nuk e kanë përfunduar ende aktekspertimin e mjetit, tek i cili presin të gjejnë gjurmë gishtash apo armën e krimit.

Të njejtjat burime bëjnë me dije se deri me tani janë shoqëruar 10 persona, të pranishëm në vendin e ngjarjes. Bëhet me dije gjithashtu se policia e ka pak të vështirë identifikimin e autorit, pasi në rrugicën ku ndodhi krimi nuk ka pasur kamera sigurie.