Detaje/ 'Peshku i madh’ i Vlorës përvetësoi toka në bregdet, si u falsifikua dosja në ‘97-ën

11 Tetor 2018, 19:06

Zbardhen të dhëna të reja për tjetërsimin e 100 ha tokë në bregdetin e Zvërnecit në Vlorë, për të cilat u arrestua një ditë më parë biznesmeni i njohur, Pëllumb Petritaj, i konsideruar edhe si 'peshku i madh i Vlorës'.

Gjykata e Vlorës ka urdhëruar dhe arrestimin e Blerina Dhramit, juriste pranë hipotekës së Vlorës.

Prokurori Albert Kulici zbuloi se biznesmeni Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dosjen gjyqësore të vitit 1997 ku gjyqtar ka qene Qatip Bylykbashi, Agim Hamiti dhe Artemisa Mece. Prona e tjetërsuar ndodhet në vendin e quajtur Gryka e Pishës në Nartë të Vlorës. Gjatë hetimit prokuroria zbuloi se dosja e ATP me nr.674 i përket Muhamet Bedinit dhe jo Seit Shehut që ka bashkëpunuar me Petritaj.

Petritaj përfaqësonte Ramiz Shehun, Merjeme Shehun, Sadiha Shehun, Lulzim Shehun, Lavdosh Shehun dhe Seit Shehun. Pasi kanë marrë pronën prej 1 milion m2 të gjithë këta persona kanë autorizuar Petritajn t’i shesë tokën vajzës së tij Ina Petritaj.

Shitja është kryer me një çmim prej 253 milion lekë, por pretendohet se lekët janë dhënë jashtë zyrës së noterit dhe pa një transaksion bankar. Kalimi në këtë mënyrë është bërë për të fshehur të kaluarën kriminale se si është përfituar kjo pronë. E gjithë prona është marrë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara dhe duke shpërdoruar detyrën nga punonjës të administratës.

Pëllumb Petritaj njeriu që ka tjetërsuar pjesën më të madhe të pronave në bregdetin e Vlorës, pak muaj më parë u dënua me 1 vit burg nga gjykata. Tashmë çështja ndodhet në Apelin e Vlorës.

ma.nd.