'Dhjetori i Dytë'/ Rama u shuan shpresat Bashës dhe Kryemadhit: Do jem Kryeministër edhe Dhjetorin e ardhshëm

10 Dhjetor 2018, 16:50

Kryeministri Edi Rama në komunikimin “live” që realizoi ditën e sotme përmes rrjetit social “Facebook”, komentoi edhe paralelizmin që i është bërë protestës së studentëve me atë të studentëve të dhjetorit të ’90-ës, të cilët kërkonin me çdo kusht vendosjen e pluralizmit politik pas 46-vitesh në diktaturë.

Rama e cilësoi paralelizmin e protestave si “përralla”, të cilat duhen lënë menjanë. Më tej, kreu i ekzekutivit u shpreh se ky nuk do të jetë dhjetori i fundit që do të jetë në qeveri.

Lërini përrallat me dhjetorë. Ata të dhjetorit '90... Dhe ta dini që ky nuk është dhjetori i fundit që do jem në qeveri. Do thoni ju po pse sa do të rrish ti. Sa do të rri unë kjo është një temë tjetër, por e flasim një ditë tjetër. Po ky nuk është dhjetori i fundit.

Edi Rama, Kryeministër

Teksa studentët kishin dalë në ditën e shtatë të tyre për të protestuar ndaj politikave arsimore të ndjekur në vend, kryeministri Edi Rama realizoi një komunikim "live" në "Facebook", ku bëri të ditur se qeveria është e gatshme të investojë në ndërtimin e konvikteve të reja, të zerojë bordet e administrimit të universiteteve nga anëtarët e qeverisë, të ofrojë arsim falas për studentët ekselentë dhe për ato me familje ekonomike, t'i mundësojë 1000 studentëve ekselentë vende pune në administratë pa konkurs, por vetëm me një kusht; studentët të pranojnë të ulen në një tryeze së bashku me të, për të dialoguar dhe për të folur më tej rreth kërkesave të tyre.