Dinamika/ Ngacmoi Elvana Gjatën, nga goditja me grusht te plumbi në kokë, si ndodhi përplasja me armë në ish-bllok

5 Tetor 2018, 16:31 | Përditesimi i fundit: 2018-10-05 19:35:10

TIRANE -  Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë që ndodhi në Tiranë mbrëmjen e kaluar.Dy grupet e përfshira në konflikt me armë kanë qenë në dy tavolina të ndryshme, ku në njërën ndodheshin Ervis Martinaj dhe Eljo Hato dhe në tjetrën, Ervin Mata, Fabiol Alushi dhe Merviol Bilo, brenda në lokalin "Monopol" në zonën e ish-bllokut. Gazetari i Report Tv, Driçim Çaka raporton se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda. 

Një prej autorëve të shpallur në kërkim, Ervin Mata, ka qenë duke pirë verë në shoqërinë e dy të tjerëve, kur në derën e lokalit është shfaqur Fabjol Gaxha, truprojë i Ervis Martinajt. Viktima kishte ngacmuar disa ditë më parë këngëtaren Elvana Gjata, të dashurën e Matës dhe ky i fundit kishte vendosur të "sqarohej" me të pikërisht në këtë moment. Sapo Gaxha futet brenda në lokal dhe i drejtohet tavolinës ku ndodheshin Ervis Martinaj dhe Eljon (Aleksandër) Hato, Ervin Mata shkëputet me nxitim nga tavolina e tij dhe godet me grushte viktimën.

Menjëherë mes dy tavolinave nis një konflikt fizik, pasi në sherr përfshihen edhe Fabiol Alushi dhe Merviol Bilo me Ervis Martinajn e Eljon Haton. Në këtë moment regjistrohen edhe të shtenat me armë zjarri. I pari që nxjerr armën dhe hap zjarr është truproja i Ervis Martinajt, por kundërpërgjigja e grupit rival është fatale për Fabjol Gaxhën pasi merr një plumb në kokë dhe humb jetën. 

Me armë qëllojnë edhe Ervis Martinaj e Eljon Hato si dhe tre personat e tjerë të tavolinës përballë duke e kthyer gjithçka brenda lokalit në "Far West". Një prej autorëve është larguar me një automjet dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit