Dita e Tokës, Jamarbër Malltezi: Në Tiranë u festua me shtëllunga vdekjeprurëse tymi

22 Prill 2018, 20:18

Në një deklaratë për mediat kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi u shpreh se "dita e Tokës në Tiranë u festua me shtëllunga tymi kancerogjen që dëshmojnë se mjedisi në Shqipëri nuk është prioritet”.

“Prioritetet e Edi Ramës janë inceneratorët, kullat, betonizimi, prerja e pyjeve, gjithçka që shkon kundër shëndetit të qytetarëve”, tha Malltezi.

Malltezi vijoi me akuzat duke thënë se në Fushë Arrëz mbetjet hidhen në pyllin i cili është prerë i gjithi. 

Dita e Tokës në Tiranë u festua me shtëllungat vdekjeprurëse të tymit kancerogjen që ishin sot dëshmia më tronditëse se mjedisi në Shqipëri nuk është prioritet.
Prioritetet e Edi Ramës janë inceneratorët, kullat, betonizimi, prerja e pyjeve, gjithçka që shkon kundër shëndetit të qytetarëve.
Reja gjigande kancerogjene që zgjati për disa orë në Tiranë, nuk është e vetmja katastrofë mjedisore. Se bashku me Dr. Shkencave Pyjore Hasan Cani dhe ekspertin Genti Spahiu sapo jemi kthyer nga Fushë Arrëzi, të cilin e zgjodhëm me qëllim zbulimin e një masakre tjetër mjedisore në Ditën e Tokës.
Në shkelje të plotë të çdo ligji që mbron mjedisin dhe pyjet, mbetjet në Fushë Arrëz hidhen në pyll, i cili, edhe pa këto mbetje është në gjendje të mjeruar. Pylli është i prerë, deri edhe tek filizat e rinj.