Djegin koshat e mbeturinave, militantët e PD-së bllokojnë për 15 minuta rrugën Durrës-Shijak

16 Dhjetor 2018, 13:03

DURRËS- Banorët e zonës së Xhafzotaj të mbështetur nga Partia Demokratike kanë bllokuar për 15 minuta rrugën Durrës-Shijak në shenjë proteste për amortizimin e aksit rrugor dhe për çmimin e naftës.

Gjatë protestës së tyre, ata kanë bllokuar rrugën me kazanë plehrash duke i vënë më pas flakën. Ata shprehen se protesta e tyre synon sensibilizimin e pushtetit vendor për riparimin e segmentit. Pas ndërhyrjes së policisë, rruga u hap duke bërë të mundur edhe qarkullimin e mjeteve.

Prej shtatë ditësh tashmë, Partia Demokratike organizon protesta në rrethe. Protesta janë zhvilluar në qytetin e Durrësit, Beratit, Shkodrës, Korçës, Lezhës, Kavajës, Kurbinit, Vlorës dhe në Rrogozhinë. 

Banorët e këtyre qyteteve, të mbështetur nga PD protestojnë kundër çmimit të lartë të karburanteve, mungesës së tregut për fermerët dhe në mbështetje të studentëve në Tiranë.