Dokumenti/ Urdhri i Sandër Lleshit: Policët 'barkdërra', shërbim vetëm në vende të padukshme

9 Nëntor 2018, 15:52

Policët mbipeshë dhe me bark nuk do kryejnë shërbim në vende të dukshme". Ky është urdhri më i fundit i zv/ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi, pas urdhrave për ndalimin e kafeve në orarin e punës dhe atë për mbetjet. Numri dy i komanduar në Ministrinë e Brendshme ka miratuar një urdhëresë me 19 pika për etikën e punonjësve të Policisë së Shtetit, e cila mban firmën e zv/drejtorit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.

Por ajo që bie në sy është pika 8 e urdhëresës ku thuhet se punonjësit e policisë në mbipeshë të cilët në dokument quhen "barkdërra" do bëjnë shërbim vetëm në vende të padukshme, kjo për të mbajtur larg syrit të opinionit publik, paraqitjen jo estetike të tyre.Në tërësinë e tyre, detyrat lidhen me etikën e punonjësit të policisë nga paraqitja e jashtme, uniforma e rregullt, por edhe për rritjen e efiçencës në kryerjen e detyrës me efikasitet siç është parandalimi i ngjarjeve kriminale. Vëmendje i kushtohet zonës së bllokut ku pas ngjarjes së fundit kriminale, policia ka rritur dukshëm prezencën e saj.