Dosja ‘Shullazi’ fut në konflikt prokurorët e Krimeve të Rënda, përplasen me Donika Prelën

19 Shtator 2018, 16:45

Tiranë- Prokurorët e Krimeve të Rënda rebelohen dhe braktisin mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e tyre, Donika Prela. Burime për Report Tv bëjnë me dije se temë e mbledhjes ka qënë zëvendësimi i prokurorit Eneid Nakuçi në dosjen “Shullazi”. Prokurorët deklarojnë se zëvendësimi i Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.

Drejtuesja e Prokurorisë, Donika Prela ka deklaruar se pjesë e dosjes në fazën e pretencës do të jetë dhe ajo. Prej 3 javësh pretenca është bllokuar pasi Nakuçi ka ikur jashtë shtetit me pretendimin se është sëmurë, ndërsa Elisabeta Imeraj është bërë drejtuese tek Tirana.

Seanca e radhës është parashikuar për datë 25 shtator. Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.