Drejtonte autobusin me patentë false, arrestohet shoferi në Tiranë

20 Maj 2018, 19:14

Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar aksionin në rrugët e kryeqytetit për zbatimin e Planit Operacional ‘Tispol Maj 2018’. Nga kontrolli i ditës së sotme, uniformat blu kanë ndaluar një shofer autobusi, i cili drejtonte mjetin me patentë të falsifikuar.

Sipas policisë, është shoqëruar shtetasi me iniciale F.K., 36 vjeç, i cili u konstatua duke drejtuar mjetin tip “Autobuz” për transport pasagjerësh me leje drejtimi dhe certifikatë aftësimi profesional të falsifikuar.

Drejtuesi i mjetit u kap në kushtet e flagrancës dhe u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore e Proceduriale nga Sektori i Krimit Ekonomik e Financiar.