Drejtoresha e Arkivit të Filmit, Iris Elezi flet për projektin “kinemaja e viteve ’90”

Çdo film me kalimin e kohës bëhet dokumentacion historik. Brenda mureve të Arkivit Qendror të filmit ruhet çelësi, se përse ne jemi si jemi edhe sot e kësaj dite. Për kamerën e “Reporttv” drejtoresha e Arkivit të Filmit, Iris Elezi, flet për thesaret tona kinematografike, që ruhen në institucionin që ajo drejton prej dhjetë muajsh. Për prezantimin e “kinematografisë së viteve ‘90”, një projekt ka marrë udhë, filma dhe dokumentarë shqiptarë prezantohen çdo të martë në Qendrën Kulturore Tulla. Elezi rendit edhe nevojën emergjente për restaurimin e gjashtë filmave, të cilët janë dëmtuar që në procesin e larjes. “Vetëm pak javë më parë na erdhi një ftesë nga qendra kulturore Tulla. Rubin Beqo donte që të shikonim me vëmendje një nga anët më të errëta të historisë bashkëkohore shqiptare, viteve “90. Ne mendojmë se i dimë ato, por në fakt ka shumë fenomene sociale, që nuk janë studiuar si duhet. Edhe nuk ka më mirë sesa vet elementi filmik edhe përsiatjet e këtyre regjisorëve, si në dokumentarë edhe në filma, që u morën me ne. Kemi mundësinë që t’i shohim gjatë këtyre netëve më vonë,”- tha Elezi.

Impakti ka qenë imediatë. Fuqia e mediumit të filmit është imediate mendon Elezi, sidomos kur filmi flet në gjuhën e nënës, por edhe kur shqetësimet që kineastët i preokupojnë janë ende aktuale. “Sa më shpejt ne arrijmë që të përkthejmë filmat tanë, më shumë programues festivalesh edhe historian do të kenë mundësi që të njohin trazirat e shpirtit shqiptar. Kinematografia më shumë se çdo art tjetër di ti përcjellë si duhet,”- vijoi më tej ajo.