Durrës, dyshime për tirol te makina e Drejtorit të Hekurudhave, gjendet një celular dhe shishe

19 Nëntor 2018, 09:38 | Përditesimi i fundit: 2018-11-19 12:12:38

Drejtorit të Hekurudhave,  Ani Dyrmishit u dyshua se iu vendos poshtë automjetit tip "Volkswagen Passat" me targa AA 070 TP lëndë eksplozive, por nga ekspertiza e kryer rezultoi se shishja e gjendur me ngjyrë të errët nuk përmbante lëndë të tillë. Shishja u gjend së bashku me një telefon celular në vendin ku ishte parkuar makina e Dyrmishit, në lagjen nr 4 të Durrësit.Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se në momentin e gjetjes së shishes dhe telefonit celular, makina e drejtorit të Hekurudhave nuk gjendej aty. Paraprakisht hamendësohet se kanë qenë të vendosura në makinë, poshtë vendit të shoferit.Banorët e zonës kanë qenë ata të cilët i kanë vënë re objektet e që menjëherë më pas kanë njoftuar policinë, duke e informuar më tej se po në të njëjtin vend ishte parkuar makina e Dyrmishit. Ky i fundit, i cili në atë çast ndodhej në hyrje të Tiranës, është njoftuar për ngjarjen përmes një telefonate nga policia.

Specialistët e Njësisë Speciale Antieksploziv e ardhur nga Tirana konfirmuan nga kontrollet e kryera se lënda e gjetur nuk ishte eksploziv, e kësisoj, dyshohet se objektet janë përdorur në formë kërcënimi. Pas kontrollit të kryer, Ani Dyrmishi u shpreh për gazetarin e Report Tv: "Nuk ia kam idenë për lëndën plasëse, nuk kam konflikt me askënd."

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës".