'E dua Shqipërinë më shumë se gjithë bota', si e festuan Ditën e Flamurit fëmijët e kopshtit 36

28 Nëntor 2018, 15:49

Në të gjithë librat që mësojmë mbi historinë e vendit tonë jemi njohur me Marigonë, qëndistaren e flamurit kombëtar. Në këtë 28 nëntor,  ne kemi takuar një tjetër Marigo, vajzën e vogël të kopshtit numër 36 në Tiranë. Dafna është vetëm 4 vjeç, por në festën e organizuar nga grupi i zogjve, pjesë e kopshtit Kësulëkuqja, ajo ka luajtur rolin e Marigosë, duke dramatizuar qëndisjen e flamurit së bashku me shoqet dhe shokët e saj të grupit.
Prindër e gjyshër shoqëruan të gjithë fëmijët e tyre duke memorizuar çdo moment në telefonat e tyre celularë. Festivali nis me këngën "Ty flamur të duam shumë", kolonë zanore e filmit "Tingujt e luftes", për tu treguar fëmijëve jo vetëm dashurinë për atdheun, por edhe sakrificat e popullit shqiptar ndër vite, të cilat janë pasqyruar në filmat e vjetër shqiptarë.
Repertori vazhdon me këngën “Për mëmëdhenë” , të shoqëruar nga fizarmonika e edukatores së tyre.
Për këtë shfaqje , fëmijët kanë bërë prova për gati një muaj, në kujdesin e edukatores së tyre Maja Brahimi e cila i ka mësuar një numër të madh këngësh e vjershash të vegjëlve.