E zë poshtë bombola e gazit, humb jetën 3-vjeçari, Report TV në shtëpinë e viktimës në Korçë

16 Gusht 2018, 14:35 | Përditesimi i fundit: 2018-08-16 18:25:48

Korçë-  Bombola e oksigjenit vret 3-vjeçarin. Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak orë më parë në një banesë private në fshatin Mborjë të Korçës, ku një tre vjeçar humbi jetën pasi u zu poshtë nga një bombol oksigjeni.

Gazetarja Iris Rezhda ka shkuar në banesën ku ndodhi ngjarja, aty ku mësoi se i mituri ishte gjetur i shtrirë në dyshemenë e dhomës, i gjakosur e me plagë të rënda në kokë nga vëllai i tij 6-vjeçar.

“Mami eja së vëllai nuk po merr frymë”,- mësohet t’i ketë thënë ai nënës së tij.

Kaq ka mjaftuar që familja të alarmohet. E ëma e ka gjetur të mbuluar më gjak, ndërsa i ati e ka marrë të voglin në krahë dhe e ka dërguar në spital, por pak orë më vonë ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda në pjesën e kokës.

I mituri, siç thonë familjarët, ka qënë duke luajtur dhe është ende e paqartë se si bombola e rëndë që përdorej nga gjyshi i sëmurë ka lëvizur duke e zënë poshtë.

Nëna e të miturit është në gjendje shoku dhe nuk mund të flasë asnjë fjalë, ndërsa të afërmit e tjerë preferojnë të heshtin.

Rrezhda sqaroi për Report Tv e Shqiptarja.com se bëhet fjalë për një familje të varfër, pa të ardhura që jetonte vetëm me pensionin e gjyshit.

Grupi hetimor ka shkuar tashmë në vendngjarje dhe pritet të zbardhë më shumë detaje për gjithçka ndodhi.