Ekskluzive/ Deklarimi i pasurisë së prokurores Rovena Gashi, mori dhuratë një apartament 137 m2

16 Maj 2018, 11:26

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, të cilës Ambasada Amerikane i refuzoi vizën për të udhëtuar drejt SHBA, deklaron se në vitin 2013 babai i ka dhuruar një apartament banimi me sipërfaqe 137 m2, me pjesë 50 %. Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht pasurinë e zonjës Gashi që nga viti ku u bë pjesë e sistemit të drejtësisë në vitin 2004 deri në vitin 2016. Prokurorja Gashi, e përfolur në media si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, u shkarkuar fillimisht nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, si drejtoreshë e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe për Dekriminalizimin. Tashmë Arta Marku e ka pezulluar nga detyra zonjën Gashi, së bashku me bashkëshortin, Dritan Gina, për shkak se janë marrë të pandehur për fshehje pasurie. Rovena Gashi pa aplikuar për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Dyshimet mbi pasurinë

Rovena Gashi, për vite me radhë, si pasuri deklaron vetëm pagën dhe një makinë Fiat Punto, por befas në vitin 2013, babai i  bën dhuratë një apartament, vlerën e të cilit nuk e deklaron. Referuar deklaratave të pasurisë që disponon Shqiptarja.com, apartamenti përbëhet nga dy dhoma, një kuzhinë, një dhomë ndenje, dy korridore, dy tualete dhe dy ballkone. Gashi thotë se babai i saj e ka poseduar këtë pronë që prej vitit 2004. Zonja ka nisur të deklarojë pasurinë që nga viti 2004, për shkak të detyrës si prokurore. Prokurorja, deri në vitin 2014, nuk ka deklaruar asnjë pasuri në emër të anëtarëve të familjes, në varësi të statusit. Në deklaratën e vitit 2006, zonja shënon tek të ardhurat edhe një raport leje lindjeje, por në deklaratë nuk figuron asnjë pasuri në emër të dikujt tjetër, që mund të ishte bashkëshorti. Kjo do të thotë se çifti mund të ketë bashkëjetuar.