Ekskluzive/ Ish-deputeti Mark Frroku humb betejën në Strasburg: Arrestimi ishte i ligjshëm

18 Shtator 2018, 19:24

Tiranë- Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg merr në shqyrtim ankimin e ish-deputetit Mark Frroku dhe rrëzon pretendimin e tij se me arrestimin në Shqipëri është shkelur Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Shqiptarja.com dhe Report Tv sigurojnë ekskluzivisht dokumentin e Strasburgut që mban datën 18 shtator 2018.

Froku iu drejtua Strasburgut në vitin 2015-të teksa vazhdonte të qëndronte në burg. Ai këmbëngulte që Strasburgu ta cilësonte të paligjshëm arrestimin, pasi argumenton se në këtë mënyrë i janë mohuar të drejtat dhe liritë e tij, jo vetëm personale, por edhe politike. Me këtë vendim të sotëm Strasburgu hedh poshtë të gjitha pretendimet e tij.

Ish-deputeti Mark Frroku u dënua me 6 vjet burg për tre akuza“mosdeklarimit të pasurisë, pastrimit të parave dhe ndërtimit të paligjshëm”, por kur kishte berë vetëm tre vite burg me një vendim të Gjykatës së Fierit më 9 maj ai u lirua pa vuajtur edhe 1 vit, 5 muaj dhe 5 ditë, me arsyetimin se tashmë ishte riedukuar apo “rehabilituar plotësisht”. Vendimi i gjykatëses Matilda Shalla vlerësoi po ashtu se Frroku plotësonte kushtet e lirimit me kusht, duke e cilësuar atë si një rast të veçantë.
 

Ish-deputeti Mark Frroku u arrestua në mars të vitit 2015, fillimisht me akuzën për “kallëzim të rremë”, pasi bashkë me deputetin tjetër, Tom Doshi u akuzuan se sajuan një skenar që akuzonte Presidentin aktual të Republikës Ilir Meta, se kishte synuar të vriste Doshin, çështje e cila është ende në gjykim.