EKSKLUZIVE/ Përgjimet, zbulohet biseda, Xhisiela-Rrajës: Do gënjej prokuroren

14 Tetor 2018, 13:35

Prokurorisë së Krujës i kanë mjaftuar një muaj e gjysëm hetime që të finalizojë me sukses dosjen penale kundër Rexhep Rrajës, djalit të deputetit të PS në Krujë, Rahman Rraja. Çështja penale kundër tij tashmë është përfunduar dhe Rraja, do përballet në gjykatë me akuzën e “Përndjekjes”, ku rrezikon të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vite burg.

“Shqiptarja.com” mëson se vendimi për dërgimin e Rexhep Rrajës është marë në 4 tetor 2018 nga prokurorja e Krujës Mirela Kapo (Kostaqi), e cila gjatë kësaj kohe ka administruar të gjithë hetimin, duke kryer pjesën më të madhe të veprimeve hetimore vetë dhe pa ndikimin e asnjë oficeri të policisë së Krujës dhe Fushë-Krujës.

Në kërkesën për gjykim, që prokurorja ia ka çuar gjykatës, thotë duke renditur argumenta ligjorë dhe prova, se i pandehuri Rexhep Rraja ka konsumuar veprën penale të “Përndjekjes”, relativisht për një kohë të gjatë ndaj të dëmtuarës Xhisiela Maloku. Kjo pasi e dëmtuara Xhisiela Maloku, ka shfaqur ankth, pasiguri dhe paqëndrueshmëri në deklarimet e dhëna në polici dhe prokurori, por dhe vende të tjera, duke qënë në situatë tensioni të vazhdueshëm.

Bisedat e përgjuara në prokurori e Krujës

Ndër provat-fakte që prokurorja e çështjes i ka dërguar gjykatës së Krujës është dhe përgjimi ambjental që ka kryer në ambjentet e prokurorisë mes dy protagonsitëve të kësaj çështje, të pandehurit Rrexhep Rraja dhe të dëmtuarës Xhisiela Maloku.

Përgjimi është kryer fill pas përfundimit të seancës së ballafaqimit të këtyre dy personave, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin përpara prokurorëve. Në këto kushte të tensionuara është vendosur që Maloku dhe Rraja të futen në një zyrë që të qetësoheshin dhe pikërisht aty janë përgjuar. Pikërisht në këtë moment mes tyre ka nisur një bisedë, ku Rexhep Rraja fillon i thotë se çfarë na bëre, përse e sajove gjithë këtë histori të tillë, me hotel dhe pistoleta.

Ndërsa nga ana tjetër Xhisiela ia kthen Rrajës se ç’ke ti, se unë nuk do flas më për dhunën, nuk do i tregoj gjë asaj, duke ju referuar prokurores. “…kam për ta gënjyer… atë se më ka çmendur, më kërkon shumë dhe këmbëngul, çfarë ti bëj…”-vijon të thotë në bashkëbisedim Maloku. Më tej kjo e fundit vijon ti thotë të dashurit të saj Rraja se sapo ti nxjerin nga aty ku janë, dhe ta marin në pyetje, do i kërkojë prokurores se është keq psikologjikisht, do e gënjejë në mënyrë që ajo të mos vazhdonte të këmbëngulte për ta marë në pyetje.