Saimir Tahiri në gjykatën e Krimeve të Rënda/ VIDEO-Ekskluzive momenti i mbërritjes

15 Maj 2018, 11:05 | Përditesimi i fundit: 2018-05-15 12:12:47

TIRANE-Prej orës 11:00 vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca për verifikimin e masës së sigurisë për ish-ministrin Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm mbërriti në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga dera e pasme. E ndërsa mediat e prisnin që të dilte nga banesa, ai në orën 10:55 minuta mbërriti në gjykatë duke u futur nga dera e pasme.

Tahiri mbërriti në gjykatë në një makinë policie, ndërsa u shoqërua në ambientet e Krimeve të Rënda nga tre efektivë policie. Tahiri zbriti i qetë dhe i buzëqeshur nga makina, përshëndeti në mënyrë miqësore efektivët, ndërsa është futur në gjykatë  duke mbajtur në dorë disa dokumente.

Avokati i tij, Maks Haxhia mbërriti disa minuta më parë, ndërsa deklaroi se ndaj ish-ministrit nuk ka asnjë provë kundër. Tahiri ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë pas vendimit ditën e shtunë që e la në 'arrest shtëpie'. Gjyqtarja e çështjes është Liljana Baku, ndërsa përballë Tahirit janë dy prokurorët Vladimir Mara dhe Besim Hajdarmataj, të cilët kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin duke kërkuar 'arrest me burg' për ish-ministrin..

Ai akuzohet për “Trafik të narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit Pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në kuadër të hetimeve per dosjen Habilaj.

 Report Tv zbardhi dje ekskluzivisht vendimin e plotë të Gjykatës me të gjitha faktet që çuan Saimir Tahirin në arrest shtëpie. Pak javë më parë ai la edhe mandatin e deputetit, duke deklaruar se do të përballet me drejtësinë.