Ekskluzive/Berat, flet 17-vjeçari: Babai s'më mori peng dhe s'më la pa ngrënë, kishim debate

24 Qershor 2018, 14:17 | Përditesimi i fundit: 2018-06-24 14:56:06

Një ditë pas ngjarjes në Berat ku u raportua se babai 43 vjeçar mbante të mbyllur djalin 17 vjeçar dhe e linte pa ushqim Report TV arrin të marrë dëshminë e djalit. Adoleshenti tregon për Report TV 2 orët e tmerrit të përplasjes me policinë, teksa sot i është rikthyer jetës normale. Ai mohon se babai e ka mbajtur peng për tre ditë dhe e ka lënë pa ushqim, por vetëm se me babanë ka pasur sherr në shtëpi dhe për ta trembur ka telefonuar policinë.

Nuk është e vërtetë që babai më ka mbajtur të kyçur tre ditë dhe më ka lënë pa ushqim. Unë jetoj me babanë, dje kemi pasur një sherr dhe unë për ta trembur mora në telefon policinë. Kur erdhi policia i ra derës me forcë, por babai u tremb dhe nuk pranoi t’ja hapte.

Në këtë moment tensioni unë hipa në çati dhe i kërkoja policisë që të tërhiqej e të mos e shqyente derën pasi babi u tremb dhe humbi kontrollin. Por edhe pse unë kërkova që policia të mos hynte me forcë ata nuk më dëgjuan. Kam rreth 16 vjet që jetojë me babanë. Që një vjeç më ka rritur ai, nëna është larguar. Unë e di që babai nxehet shpesh herë dhe humbet kontrollin, sepse është i sëmurë, por unë nuk mund ta lë në burg sepse e kam baba.

 Deklaron ekskluzivisht për Report TV 17-vjeçari me iniciale A. D

Ai sot është kthyer sërish në banesën e tij, ndërsa shoqërohet nga të afërmit.

Në banesën e familjes Duro, nese do të mund të quhej banesë, sot gjithçka është e shkatërruar. Dera kryesore e shtëpisë, siç duket edhe në këto pamje është e shqyer pas ndërhyrjes së policisë. Edhe orenditë e tjera shtëpiake janë dëmtuar gjatë dy orëve, pasi 43-vjeçari qëllonte policinë me orenditë e kuzhinës. Por ajo çka duket në këto pamje, dëshmon problemet e 43 vjeçarit. Në çdo mur të shtëpisë ai ka shkruar emra aktorësh hollivudi apo edhe data kujtimesh nga jeta e tij.