Ekskluzive-Dalin emrat/ DSIK: Prokurorët që marrin para për të mbyllur dosjet

7 Dhjetor 2018, 09:28

Prokurori i Tiranës Adriatik Cama ka marrë para për të mbyllur dosjet penale, ndërsa prokuroi i Apelit në Tiranë Luan Kaloçi është përfshirë në veprimtari të kundraligjshme si dhe ka kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar. Kështu thuhet në dy raporte sekrete që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i ka dërguar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Raporti për prokurorin Cama mban datën 18 maji 2018, me numër protokolli 5566, ndërsa për prokurorin Kaloçi mban datën 2 nëntor 2017, me numër protokolli 1209. Raportet e zbardhura nga Shqiptarja.com janë hartuar nga SHISH, DSIK dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Komisioni i Vetingut e ka konfirmuar si të saktë raportin për prokurorin Cama, duke e shkarkuar nga detyra me vendim të datës 12 korrik 2018.