Eksperti Hekuran Vladi: Në futbollin shqiptar pastrohen para

12 Prill 2018, 18:52

Problematikës së futbollit shqiptar i shtohet edhe një tjetër akuzë. Sikur të mos mjaftonin abuzimet e ndryshme financiare apo trukimet e ndeshjeve, sipas ekspertit të ekonomisë, Hekuran Vladi, në futbollin shqiptar pastrohen para. Eksperti tregon edhe rolin e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe bën krahasimin me funksionin e presidentit të këtij institucioni me role të tjera në Shqipëri.

Fenomeneve të trukimeve dhe abuzimeve në futbollin shqiptar i shtohet edhe një akuzë tjetër, ajo e pastrimit të parave. Këtë e thotë ish-drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Hekuran Vladi, sipas të cilit, në futbollin shqiptar pastrohen para. Eksperti në luftën e pastrimit të parave në Shqipëri pohon se janë ka individë që ofrohen pranë klubeve të futbollit, duke marrë edhe rolin e presidentit, dhe përfitojnë në mënyra të ndryshme.

 Në futbollin shqiptar, përveç shkeljeve të tjera financiare dhe ligjore, ka edhe pastrim parash. Origjina e këtyre parave është kriminale, duke filluar që nga evazioni fiskal, kontrabanda dhe produktet e krimit të organizuar. A-ja e gjithë problematikës të organizimit të aktivitetit të klubeve të futbollit shqiptar është mungesa e një ligji.

Hekuran Vladi