Ekzekutimi i Emiljano Boçit në Tiranë, në pranga 'killeri' matjan, pjesë e bandës Shullazi

5 Nëntor 2018, 21:53

Tiranë- Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme, të dyshuarin kryesor për vrasjen e 14 janarit ku mbeti i vrarë Emiljano Boci, Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, nga Burreli, dhe me banim në Tiranë. Policia bën me dije se Xhecuka akuzohet për vrasje me paramendim dhe tentativë vrasjeje, por për shkaqe hetimi nuk jep detaje të mëtejshme. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se Xhecuka është vrasës me pagesë. Xhecuka konsiderohet si një nga vrasësit më të rrezikshëm në Shqipëri, pjesë e bandës së Emiljano Shullazit. Ai është hetuar edhe si personi që ka qëlluar me armë banesën e gazetares Klodiana Lala, më 30 gusht 2018.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes se ndodhur më 14 Janar 2018 ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi.

Identifikimi i autorit të dyshuar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “ Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”.

30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 Janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M.D.

Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera.

Për vitin 2018 Policia e Tiranës ka zbardhur të gjitha ngjarjet kriminale në fushën e vrasjes dhe të plagosjes.

Ngjarja, si u vra 32-vjeçari Emiljano Boçi në sy të të dashurës së tij

Emiljano Boçi u vra më 14 janar 2018, në zonën e ish-parkut të Autobusave. Ai u qëllua për vdekje në automjetin e tij menjëherë pasi doli nga një restorant në kryeqytet i shoqëruar nga e dashura e tij dhe miku i tij Melvin Disha, 27-vjeç i cili mbeti i plagosur. Autori e qëlloi nga pjesa e pasme e makinës "Range Rover" në drejtim të vendit të shoferit.

E dashura e tij iu shpëtoi plumbave për mrekulli, dhe më pas njoftoi policia. Në atë kohë, burime nga policia sqaruan se pistat e hetimit ishin ato të prishjes së pazareve të drogës, pasi 32-vjeçari lëvizte shpesh drejt Holandës dhe Gjermanisë.