Elbasan/ Festa e fundvitit, nis shitja e gjelave te detit, ankohen rritësit e tyre: Po importohen nga jashtë

9 Dhjetor 2018, 16:37

Gjeli i detit që është i pranishëm thuajse në cdo tavolinë gjatë ndërrimit të viteve ka filluar të shitet tashmë nga tregtarët. Por ndryshe nga vitet e tjera, qytetarët duhet të bëjnë kujdes.

Këtë vit në tregun vendas, kryesisht në trevën e Peqinit, që njihet si zona e preferuar në të gjithë Shqiperinë, kanë nisur të tregtohen gjela të mbërritur nga Greqia, Turqia dhe Maqedonia. Si pasojë e importit nga jashtë rritësit tradicional të gjelave të ankohen dhe kerkojnë ndërhyrjen e organeve vendore për të parandaluar këtë fenomen.

Sipas banorëve, atyre u është dashur më shumë se 9 muaj për t'i rritur ato, ndërsa tregtarët jo vetëm që abuzojnë me emrin e trevës së Peqinit por i tregtojnë ato me 5 mijë lekë kg. Një kg gjel deti bio në zonën tradicionale të Peqinit në njësinë administrative Përparim varion nga 7-8 mijë dhe sipas rritësve pesha e tyre që janë rritur bio nuk i kalon 6-7 kg, ndërsa gjelat që vijnë nga jashtë kanë peshë që nis nga 8 deri në 12 kg.

"Këtu abuzohet sepse gjelat vijnë nga Pularia, Greqia dhe kohët e fundit janë futur edhe nga Maqedonia, që. i shesin nga 5-6 mijë lekë kilen. Ne pa 8 mijë lekë nuk i japim sepse ka kosto", u shpreh një rritës gjelash. "Cdo vit i rris vetë, i ushqej vetë...me misër, me koncentrat dhe kur vjen fundi i vitit tregu mungon sepse vijnë nga Greqia, Turqia dhe thojnë që janë zogj fshati. Kanë gjela mesatarë, jo gjela 12-13 kile. 6 kile e poshtë e 7 kile është gjeli i vendit", u shpreh një tjetër. "Pas datës 25, këta i fusin nga Greqia e Turqia. Por nuk jam vetëm unë që kam gjela, është i gjithë fshati që ka gjela", u shpreh një i tretë.