Elbasan, zjarr në servisin e të arrestuarit për trafik droge, digjen 10 makina luksoze

23 Tetor 2018, 09:59 | Përditesimi i fundit: 2018-10-23 15:18:08

ELBASAN- Një zjarr ka rënë gjatë natës në servisin e Elton Kilës, në lagjen "Skënderbej" në qytetin e Elbasanit duke djegur 10 makina luksoze, mes tyre edhe një Ferrari. 

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se dyshohet që kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme dhe se kjo nuk është hera e parë që Kilës i digjen disa makina. Sipas të njëjtave burime, autorët dyshohet se kanë hyrë nga një dritare në pjesën e pasme të servisit.

Pas shuarjes së flakëve në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë filluar punën për zbulimin e shkakut të zjarrit.

Elton Kila, u ndalua pak ditë më parë për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar që ishte lëshuar ndaj tij nga Italia. Shteti italian e akuzon Kilën se ka kryer disa vepra penale, duke filluar që nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale, në trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë.

Shqiptarja.com ka mësuar se Kila është pronar i një jahti luksoz, një makine Ferrari dhe mjeteve të tjera të luksit.