Fier, Etilda Gjonaj: Brenda 2019 merr fund sorollatja e qytetarëve me problemet e pronave

16 Maj 2018, 21:45

Njësitë administrative Levan dhe Frakull në qarkun e Fierit, ishin ndalesat e radhës të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj në kuadër të turit të llogaridhënies "Puna për Shqipërinë që duam". Bashkë me kryetarin e bashkisë, deputetët e zonës dhe gjithë drejtuesit e drejtorive qendrore e vendore ministrja ka dhënë llogari për punët e kryera, por edhe për çfarë do të bëhet akoma në këtë mandat qeverisës.

Folëm për Reformën në Drejtësi, si një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë lodhur për dy dekada e gjysmë nëpër dyert e gjykatave nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Rezultatet e kësaj reforme i siguruan Shqipërisë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit për në BE.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë
Reforma e pronës, për të cilin kishte një interes të veçantë nga banorët, është një tjetër prioritet i Qeverisë. Ministrja i ka siguruar banorët se brenda mesit të vitit 2019 do të regjistrohen të gjitha titujt e pronësisë që lidhen me tokat bujqësore dhe po ashtu do të ngrihet Agjencia e Integruar e Tokave. Kështu qytetarët nuk do të sorrollaten më nga njëra zyrë në tjetrën për legalizimin dhe për regjistrim të shtëpive të tyre, por do jetë Agjencia që do kujdeset për dokumentacionin e nevojshëm.