Flet kushëriri i shqiptarit që vdiq në Genova: Si e morëm vesh lajmin e kobshëm

15 Gusht 2018, 12:14

Tragjedia e Genovës nuk ka kursyer edhe dy shqiptarë të identifikuar si Edi Bokrina dhe Marjus Djerri. Për ‘Report Tv’ ka folur sot djali i xhaxhit të Marjusit, Agron Djerri, i cili ka treguar detajet se si e kanë marrë vesh familjarët lajmin e kobshëm të vdekjes së tij.

Sipas Agronit, babai i Marjusit ka qënë në Milano dhe është lajmëruar nga e bija për t’u kthyer pasi i biri kishte humbur jetën.

Intervista e plotë:

1. Si e morët vesh që Marjusi kishte humbur jetën?

Më lajmëroi vëllai. Unë jam në Shijak.

2. Po ata si e morën vesh?

Vëllai ka qënë në Milano mbrëmë, e mori në telefon vajza e vetë dhe i tha se telefoni i Marjusit dilte i fikur. Ai kalonte aty çdo ditë se shkonte për në punë.

3. Ku punonte Marjusi?

Punonte kopshtar.

4. Sa vite kishte në Itali?

Ka ikur që 2-3 vjeç nga Shijaku bashkë me familjen.

5. Prindërit janë akoma atje apo kanë ardhur në Shqipëri?

Jo, janë atje. Ishin këtu me datë 3 gusht se kanë pasur dasmë, martohej vajza e xhaxhait të vetë.

6. Familjarët e kanë tërhequr trupin e Marjusit?

Jo, akoma nuk e kanë tërhequr. Është akoma në morg.

7. Kur pritet të sillet për t’u varrosur në Shqipëri?

Ende nuk i dihet gjë.