Goma e hekurishte/ Aksion pastrimi në Tiranë, vullnetarët i bashkohen bashkisë

15 Shtator 2018, 15:24

Në Ditën Botërore të Pastrimit, Tirana iu bashkua aksionit për largimin e mbetjeve dhe ruajtjen e mjedisit. Qindra vullnetarë dhe qytetarë, të mbështetur edhe nga punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit të Bashkisë së Tiranës, nisën që në orët e para të mëngjesit aksionin për largimin e mbetjeve në të gjitha njësitë administrative, kryesisht pranë shkollave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua vullnetarëve në zonën e Pezës, ku vlerësoi angazhimin e tyre për të kontribuar në mbajtjen pastër të mjedisit. “Sot iu bashkuam një nisme që po ndodh në 150 vende të botës, por ajo që na intereson më shumë është mënyra se si nisma funksionon në Shqipëri, ndaj jam shumë i lumtur që vullnetarët na janë përgjigjur në çdo cep të Tiranës. Kemi organizuar 27 skuadra në të 27 njësitë administrative, me një fokus të veçantë shkollat, kopshtet, çerdhet, pra hapësira publike ku do të presim të ardhmen e Tiranës, ditën e hënë, por edhe vendet tona historike”, tha Veliaj, njofton bashkia.

Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana sot është shumë herë më e pastër se më parë dhe se kujdesi për mjedisin shtrihet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale. “Sot Tirana është shumë herë më e pastër, por e mira s’ka fund, mund të jetë edhe më pastër; nuk ka asnjë arsye që nëse është e pastër qendra, të mos jetë e pastër periferia dhe Peza, ku ne këtë fundjavë do të presim mijëra njerëz, të cilët nëse e gjejnë pastër, me gjasë edhe do ta lënë pastër, pasi të mbarojnë aktivitetet që përkujtojnë Festën e Pezës”, u shpreh ai.