Grabitën Prokurorinë e Durrësit, zbulohen emrat e tre të ndaluarve, mes tyre dhe një roje

25 Maj 2018, 11:05

Tre persona të dyshuar janë ndaluar nga policia në lidhje me grabitjen e Prokurorisë së Durrësit dhe po merren në pyetje nga hetuesit. Report Tv ka zbardhur emrat e personave të ndaluar, të cilët dyshohet se kanë organizuar grabitjen e Prokurorisë së Durrësit, ku mes tyre është edhe një roje privat.

Ndalimi i tre autorëve të dyshuar është bërë me urdhër të organit të Akuzës, ku mes tyre është edhe 56-vjeçari Nias Lena, me detyrë roje te SHPSF Frideus Secyrity. Gjithashtu, në pranga kanë rënë dhe dy shtetasit Artur isa e Besnik Bushi, si autorët e dyshuar të grabitjes, të cilët rezultojnë të jenë me precedentë të mëparshëm penalë.

Report Tv mëson se shtetasi Artur Isa është dënuar më parë për 'vjedhje me dhunë', ndërsa shtetasi Besnim Bushi për 'vjedhje'. Të dy personat kanë mohuar autorësinë e grabitjes së Prokurorisë, që nga momenti i ndalimit. 

Burime të Report Tv bëjnë me dije se ndalimi i këtyre shtetasve është realizuar në bazë të provave shkencore në duart e Prokurorisë dhe policisë, pasi janë fiksuar nga kamerat e lokaleve pranë Akuzës. 
Nga ana e saj, policia grupi hetimor vazhdon punën për të zbuluar shkakun dhe lidhjen e të ndaluarve me dosjet që ka në duar Prokuroria e Durrësit. 

Prokuroria e Durrësit u grabit një ditë më parë, ku u vodhën disa dosje korrupsioni në zyrën e prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu, si dhe u morën pajisje elektronike në dhomën e serverit të kamerave të sigurisë, ndërsa kjo është hera e dytë brenda 10 ditëve, që ky institucion bie pre e grabitjes.